NASA: Pergenjeshtron Lajmet Per Fundin E Botes


21 dhjetori është fundi i botës…! NASA ka konfirmuar se ditët mes 23 dhe 25 dhjetorit, globi do të zhytet në një errësirë që do të vijë si pasojë e një radhitjeje në vijë të drejtë të Tokës me planetët e tjerë të Sistemit Diellor…!
Janë këto disa nga hamendësimet dhe profecitë që shqetësojnë banorët e planetit tonë në këto ditë të fundit të 2012-ës. Por Agjencia
Hapësinore Amerikane “NASA”, që është ndër më të specializuarat në fushën në fjalë, hedh poshtë gjithçka, duke i qetësuar të gjithë. Së pari, “NASA” refuzon teorinë që sipas disa astrologëve, të cilët bazohen në kalendarin e fisit “MAJA”, më 21 dhjetor do të përmbyset bota. “NASA” shpjegon se Planeti ynë do të rrojë të paktën edhe katër miliardë vjet dhe nuk ekziston asnjë kërcënim që lidhet me 2012-ën. Sipas kësaj agjencie, i gjithë trillimi nis me të ashtuquajturin planet “Nibiru”, ose “X”, i cili supozohet se është zbuluar nga fisi “Sumer” dhe që i ishte drejtuar një përplasjeje me Tokën.
Kjo katastrofë u tha se do të ndodhte më 15 maj 2003, por asgjë nuk ndodhi. Kjo datë u shty më 21 dhjetor të 2012-ës dhe u lidh me fundin e ciklit kalendarik të fisit të lashtë “MAJA”, që përkon me solsticin e dimrit. “NASA” e sqaron këtë tezë me thjesht përfundimin e një kalendari të shpikur nga një komunitet i caktuar njerëzish që ishin shumë të dhënë pas astronomisë dhe e krahason këtë me veprimin normal të njerëzve të sotëm, të cilët do të flakin nga muret e shtëpisë, kalendarin e 2012-ës, natën e 31 Dhjetorit.
Më pas, në një artikull të gjerë shpjegues, “NASA” sqaron edhe mbi hipotezat e errësirës tre ditore, për të cilën është spekulluar shumë në internet kohët e fundit. Agjencia Amerikane, ashtu si shumë agjenci të tjera simotra, përjashton kategorikisht këtë teori. “NASA” mohon gjithashtu mundësinë e radhitjes së planeteve në një vijë të drejtë, apo teoritë e ndryshimit të kahut sipas të cilit Toka rrotullohet rreth Diellit, që lidhen me profeci apokaliptike. Pra, agjencia më e specializuar në një fushë të tillë, i qetëson të gjithë njerëzit, duke i siguruar se fundi i botës është ende shumë larg.